Fituesit e shpërblimeve nga Ulqini në manifestimin “Noćnjak 2023”
Takimi ndërkombëtar i 25-të me radhë i ullishtarëve dhe mullixhinjëve “Noćnjak 2023” u mbajt nga 30 marsi deri më 2 prill në Bluesun hotel Alga në Tuçepi (Kroaci) nën organizimin e Lidhjes së kooperativave të Dalmacisë dhe shoqatës “Dalmika”.
Manifestimi „Noćnjak“ mbledh dhe bashkon ullishtarë dhe mullixhinj, shkencëtarë dhe ekspertë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, prodhues dhe shpërndarës të pajisjeve për ullishtari, shoqëri tregtare dhe hotelerike, median dhe subjektet tjera të lidhura me ullishtari. Programi treditor i manifestimit përmbajti ligjërata profesionale, punëtori praktike, degustime, panairin e pajisjeve për ullishtari, ekspozitën e vajit të ullirit dhe produkteve nga ulliri dhe për të gjithë vizitorët hyrja ishte e lirë. Për këtë arsye pjesëmarrësit dhe vizitorët e kanë shfrytëzuar „Noćnjak“-un si një mundësi për bisedime biznesi, shkëmbim të përvojave, lidhje biznesi, informim dhe për kontakte të reja biznesi.
Manifestimi filloi me hapjen solemne të enjten më 30 mars 2023 në ora 18 ku laureatëve u ndanë çmimet (mirënjohjet) vjetore për kontributin e tyre në fushën e ullishtarisë.
Pjesëmarrësit mundën të vizitojnë Panairin e pajisjeve, mjeteve të punës dhe lëndëve të para për ullishtari dhe prodhim të vajit, Olio bar-in me degustime të udhëhequra dhe prezantime të vajit të ullirit si dhe ekspozitën e vajit të ullirit, produkteve nga ulliri dhe produkteve me emërtimin „Hrvatski otočni proizvod“ („Produkt kroat i ishujve“).
Në Panairin e ullishtarisë dhe prodhimit të vajit janë prezantuar teknologjitë e reja, impiantet, makineritë, mjetet e punës dhe pajisjet, mjetet mbrojtëse, sistemet për vaditje dhe produktet dhe shërbimet tjera të lidhura me ullishtari dhe prodhimin e vajit të ullirit. Në Bursë janë prezantuar prodhuesit e vajit të ullirit, produkteve nga ulliri, verës dhe produkteve tjera ushqimore.
Në këtë edicion jubilar të “Noćnjak”-ut, punëtoria Olio Gastro Show ishte veçanërisht sfiduese për pjesëmarrësit pasi gjatë saj atyre u është kërkuar angazhim i plotë, punë ekipore dhe vendimmarrje në procesin e vlerësimit të cilësisë dhe kombinimit të ushqimit, vajit të ullirit dhe verës.
Masterclass Gastro Ekspert është punëtori edukuese dhe degustuese në të cilën krahas degustimit (shijimit) të vajit të ullirit të varieteteve dhe tipareve të ndryshme avancohen njohuritë rreth vajit të ullirit. Në Masterclass Gastro Ekspert pjesëmarrësit kanë mundur të përjetojnë pasurinë e shijes dhe aromës e cila paraqitet kur një ushqim i caktuar përzihet me vajin e ullirit apo verën përkatëse, kurse në Olio bar pjesëmarrësve iu ofruan për shijim lloje të ndryshme të vajit të ullirit, monovarieteti dhe të shumë varieteteve, të shkëlqyer dhe me defekte, ku kanë mundur të shijohen edhe mostrat fituese. Në ekspozitë janë prezantuar edhe vaji i ullirit i ambalazhuar dhe produktet nga ulliri të atyre prodhuesve të cilët i kanë dërguar mostrat e produkteve të veta për vlerësim dhe garim.
Gjatë takimeve shkencore u prezantuan tema interesante. U fol për preparatet biologjike dhe risitë tjera që përdoren në ullishtari, ndikimin e ndryshimeve klimatike në ullishtari, plantacionet super intensive të ullirit në Spanjë, mizën e ullirit, vajin e ullirit nga ullinjët e egër, kultivimin ekologjik të ullirit, ruajtjen dhe magazinimin e vajit të ullirit, për Shtëpinë e ullinjëve si qendër e ullishtarisë malazeze etj.
Vlerësimi i cilësisë së vajrave të ullirit dhe produkteve nga ulliri
Janë dorëzuar për vlerësim 378 mostra të vajit të ullirit dhe produkteve nga ulliri nga Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.
Mostrat e vajit të ullirit në „Noćnjak“ pranohen dhe vlerësohen në dy kategori: vaji i ullirit i ambalazhuar dhe vaji i ullirit i hapur. Në secilën prej kategorive është shpallur kampioni i cilësisë.
Vlerësimi dhe ekspozimi i produkteve nga ulliri ka për qëllim të tregojë dhe të promovojë mundësitë e pakufizuara të përdorimit të frutit, drurit dhe vajit të ullirit në prodhimin e produkteve të ndryshme: kremëra, artikuj ushqimorë, produkte nga druri i ullirit, suvenire etj. Në ekspozitë u prezantuan produktet nga ulliri të cilat u dorëzuan për garë (konkurs), kurse ata më të mirët dhe më krijuesit u shpërblyen.
Ullishtarët nga Ulqini këtë vit në „Noćnjak“ për cilësi të vajit të ullirit dhe për një produkt nga ulliri u shpërblyen me nëntë medalje (dy ari, gjashtë argjendi dhe tri bronzi) dhe dy diploma.
Medalje ari për cilësi të vajit të ullirit të ambalazhuar ekstra të virgjër ka fituar:
– Anto Gjelosheviq „Ora“ (varietete të përziera).
Medalje ari për cilësi të vajit të ullirit të hapur ekstra të virgjër ka fituar:
– Shaban Buqo Kollari (varieteti vajuk).
Medalje argjendi për cilësi të vajit të ullirit të ambalazhuar ekstra të virgjër fituan:
– Osman Kallaba (varietete të përziera),
– Said Bilali (varietete të përziera).
Medalje argjendi për cilësinë e vajit të ullirit të hapur ekstra të virgjër fituan:
– Arben Elezaga (varieteti vajuk),
– Suad Haxhibrahimi (varieteti vajuk),
– Valon Suliq (varieteti arbequina).
Medalje bronzi për cilësinë e vajit të ullirit të hapur ekstra të virgjër ka fituar:
– Lindita Sukaliq „Natural“ (varieteti vajuk).
Diplomë për cilësi të vajit të ullirit të ambalazhuar të virgjër ka fituar:
– Edon Cakuli (varieteti vajuk).
Diplomë për cilësi të vajit të ullirit të hapur të virgjër ka fituar:
– Fadil Hasiq „Lovac“ (varietete të përziera).
Diplomë argjendi për produktin ushqimor nga ullinjët („Natural olive pata“) ka fituar:
– Lindita Sukaliq „Natural“.
Listën e detajuar të të gjithë të shpërblyerve mund ta gjeni në këtë lidhje.