Trajnimi për vlerësimin senzorik (shqisor) të cilësisë së vajit të ullirit të virgjër
Në Tivar në ambientet e Fakultetit Bioteknik në periudhën 24-27 maj 2023 po mbahet një kurs trajnimi për vlerësimin senzorik të cilësisë së vajit të ullirit të virgjër. Trajnimi organizohet nga Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave me mbështetjen e Fakultetit Bioteknik dhe Panelit të parë malazias për vlerësimin senzorik të cilësisë së vajit të ullirit.
Për Panelin e parë malazias dhe për ullishtarët dhe mullixhinjët e shumtë ky trajnim është i një rëndësie të madhe. Trajnimi udhëhiqet nga doc. dr (Prof. asoc.) Mirela Zhanetiq, drejtuese e panelit të Institutit për kulturat e Adriatikut dhe bonifikimin e karstit. Më shumë se njëzet pjesëmarrës nga Tivari, Budva, Podgorica dhe Ulqini ndjekin me kujdes edukimin i cili ka përmbajtje teorike dhe praktike.
Pas katër ditësh pune të palodhur, nga pjesëmarrësit e trajnimit pritet të jenë në gjendje të njohin veçoritë themelore pozitive dhe negative të vajit të ullirit dhe të jenë në gjendje të ndajnë vajin e ullirit të cilësisë së lartë nga ai që nuk është i tillë dhe kështu të plotësojnë parakushtet për kalimin e testit të aftësive fiziologjike të vlerësuesit.
Edukimi i vazhdueshëm ka rëndësi të madhe për punën e suksesshme të Panelit dhe paraqet një hap më tej drejt fillimit të akreditimit të tij.
Paneli i parë malazias, në bazë të certifikatave të shumta të cilat i posedojnë anëtarët e panelit, është autorizuar nga Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave për vlerësimin senzorik të cilësisë së vajit të ullirit të virgjër.
Burimi: www.jedro.bar