U zhvillua vizita studimore për ullishtari
Të mërkurën më 28 qershor në Ulqin u zhvillua një vizitë studimore nga një grup pjesëmarrësish nga Shqipëria. Ky aktivitet u organizua nga OJQ “Nucleus Albania” me ndihmën e shoqatave tjera nga Shqipëria, të komunës së Ulqinit dhe shoqatës së ullishtarëve “Valdanos”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin: Valbona Paluka (drejtoresha ekzekutive e “Nucleus Albania”), Arben Skënderi (drejtori ekzekutiv i Agjensisë për zhvillim rajonal 2 Tiranë), Silvana Subashi (kryetare e Shoqatës së vajit të ullirit), përfaqësues të komunave, ullishtarëve (përpunues dhe kultivues të ullirit) etj. nga Shqipëria, këshilltarët për bujqësi në komunën e Ulqinit, ullishtarë, agronomë etj.
Aktiviteti filloi në orën 10:00 në sallën e madhe të komunës së Ulqinit. Pas fjalës përshëndetëse të përfaqësuesit të shoqatës së ullishtarëve “Valdanos” z. Xhaudet Cakulit, fjala iu dha kryetarit të komunës së Ulqinit z. Nazif Cungut i cili gjithashtu përshëndeti të pranishmit dhe uroi mbarëvajtje të aktivitetit të organizuar. Të pranishmit i përshëndetën edhe z. Arben Skënderi dhe znj. Valbona Paluka të cilët falenderuan komunën e Ulqinit dhe shoqatën e ullishtarëve “Valdanos” për ndihmën në organizimin e këtij aktiviteti.
Ligjëruesi i parë në këtë aktivitet ishte z. Ilija Mugosha nga Organizata e kombeve të bashkuara për zhvillim industrial (UNIDO) i cili foli për mënyrën e formimit dhe të funkcionimit të klasterit të prodhuesve të vajit të ullirit nga Ulqini dhe Tivari. Më pas znj. Silvana Subashi mbajti një ligjëratë lidhur potencialin turistik të ullishtave.
Pas ligjëratave të pranishmit vizituan ullirin më të vjetër në komunën e Ulqinit i cili ndodhet në Valdanos (në rrugën për Bisht të Valdanosit / Mavrianit).
Pas drekës së ofruar nga “Nucleus Albania” për të gjithë pjesëmarrësit, u vizitua punishtja e sapunave “Ella” e pronares Leonora Rexhepagiq. Pronarja i njoftoi të pranishmit për teknologjinë e përdorur dhe për mënyrën e prodhimit të sapunave me bazë vajin e ullirit, të cilëve mund t’u shtohen edhe përbërës tjerë sipas dëshirës (lavandë, kanellë, qumësht dhije, mjaltë etj. në varësi të kërkesave të klientëve).