Prezantimi i projektit IPARD like 2.3
Ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural ka filluar me prezantimin e projektit IPARD like 2.3 në komunat e Malit të Zi në mënyrë që aplikantëve potencialë t’u shpjegohen mundësitë, kushtet dhe kriteret e projektit të tretë me rradhë të granteve për investime në përpunim.
Operatorëve të biznesit të ushqimit, gjegjësisht përpunuesve, permes thirrjes së re publike u jepet edhe një mundësi për të filluar ose përmirësuar përpunimin e produkteve bujqësore. Përmirësimi kryesisht ka të bëjë me harmonizimin me standardet e sigurisë së ushqimit, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë së tyre.
Për thirrjen IPARD like 2.3 është në dispozicion granti prej 1 milion euro. Mjetet për projektin IPARD like 2 janë të siguruara nga fondet e parapranimit të Bashkimit europian si dhe nga fondet shtetërore. Vlera e përgjithshme e projektit është 6.2 milion euro, prej të cilave 4.7 milion euro janë grant i BE-së, kurse 1.6 milion euro janë kontribut shtetëror. Projekti zbatohet sipas procedurave të Bankës botërore. Vlera minimale e investimit i cili mbështetet përmes projektit IPARD like 2.3 është 12.000 euro (shuma pa TVSH), kurse vlera maksimale është 125.000 euro (shuma pa TVSH). Mbështetja e pakthyeshme është 50% e investimit të pranueshëm, për të gjitha fushat e investimit.
Përmes thirrjes publike mbështeten sektorët e ushqimit me prejardhje shtazore (peshkimi dhe akuakultura), me prejardhje bimore dhe të këpurdhave (frutat, perimet, bimët shëruese dhe aromatike, këpurdhat, vaji i ullirit dhe produktet tjera nga ulliri, vera), si dhe thertoret në amvisëritë bujqësore dhe thertoret ekzistuese të miratuara në përputhje me Rregulloren mbi kushtet për devijim (shmangie) në lidhje me ndërtimin, rregullimin dhe pajisjen e objekteve të cilët kanë një vëllim të vogël të prodhimit dhe përpunimit të ushqimit.
Për të aplikuar thirrja do të jetë e hapur prej më 1 nëntor 2017 deri më 31 janar 2018.
Të gjithë të interesuarit për të aplikuar në thirrjen e re, rreth kushteve dhe mënyrës së aplikimit si dhe rreth llojeve të investimeve të pranueshme mund të informohen përmes faqes së internetit të Ministrisë së bujqësisë http://www.minpolj.gov.me/rubrike/IPARD_like_2.3/ si dhe përmes komunikimit me punonjësit e Drejtorisë për pagesa IPARD (tel. kont. 020 672 007).
Prezantimi i thirrjes publike në Tivar do të mbahet të enjten më 26.10. në orën 10:00 në sallën 10+ në ndërtesën e komunës.
Shërbimi i marrëdhënieve me publikun i Ministrisë së bujqësisë dhe zhvillimit rural