Fituesit e shpërblimeve nga Ulqini në manifestimin “Noćnjak 2018”
Manifestimi „Noćnjak“ mbledh dhe bashkon ullishtarë dhe mullixhinj, shkencëtarë dhe ekspertë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, prodhues dhe shpërndarës të pajisjeve për ullishtari, shoqëri tregtare dhe hotelerike, median dhe subjektet tjera të lidhura me ullishtari. Programi treditor i manifestimit përmbajti ligjërata profesionale, punëtori praktike, degustime, panairin e pajisjeve për ullishtari, ekspozitën e vajit të ullirit dhe produkteve nga ulliri dhe për të gjithë vizitorët hyrja ishte e lirë. Për këtë arsye pjesëmarrësit dhe vizitorët e kanë shfrytëzuar „Noćnjak“-un si një mundësi për bisedime biznesi, shkëmbim të përvojave, lidhje biznesi, informim dhe për kontakte të reja biznesi.
Manifestimi filloi me hapjen solemne të enjten më 15 mars 2018 në ora 18 në hotelin „Olympia“ ku u ndanë mirënjohjet personale dhe kolektive në fushën e ullishtarisë.
Pjesëmarrësit mundën të vizitojnë Panairin e pajisjeve, mjeteve të punës dhe lëndëve të para për ullishtari dhe prodhim të vajit, Olio bar-in me degustime të udhëhequra dhe prezantime të vajit të ullirit si dhe ekspozitën e vajit të ullirit, produkteve nga ulliri dhe produkteve me emërtimin „Hrvatski otočni proizvod“ („Produkt kroat i ishujve“).
Në Panairin e ullishtarisë dhe prodhimit të vajit janë prezantuar teknologjitë e reja, impiantet, makineritë, mjetet e punës dhe pajisjet, mjetet mbrojtëse, sistemet për vaditje dhe produktet dhe shërbimet tjera të lidhura me ullishtari dhe prodhimin e vajit të ullirit. Në Bursë janë prezantuar prodhuesit e vajit të ullirit, produkteve nga ulliri, produkteve nga bimët medicinale (çaj, kremëra, vajra eterike etj.) dhe produkteve tjera ushqimore.
Shkolla e vogël e shijimit të vajit të ullirit është punëtori edukuese dhe degustuese në të cilën krahas shijimit të vajit të ullirit të varieteteve dhe tipareve të ndryshme avancohen njohuritë rreth vajit të ullirit, kurse në Olio bar pjesëmarrësve u ofruan për shijim lloje të ndryshme të vajit të ullirit, monovarieteti dhe të shumë varieteteve, të shkëlqyer dhe me defekte, ku kanë mundur të shijohen edhe mostrat fituese. Në ekspozitë janë prezantuar edhe vaji i ullirit i ambalazhuar dhe produktet nga ulliri të atyre prodhuesve të cilët i kanë dërguar mostrat e produkteve të veta për vlerësim dhe garim.
Në Olio Gastro Show pjesëmarrësit kanë mundur të përjetojnë pasurinë e shijes dhe aromës e cila paraqitet kur një ushqim i caktuar përzihet me vajin e ullirit apo verën përkatëse.
Gjatë takimeve shkencore u prezantuan tema interesante. U fol për shartimin e ullinjëve, shkaktarët e tharjes së ullinjëve, plehrimin përmes gjetheve, përshtatjen e ullishtarisë ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e ullirit nga hundëgjati i kokrrave, të ushqyerit e ullirit, ndikimin e shiut në zhvillimin e syrit të palloit, zgjidhjeve të reja për asgjësimin e barërave të këqija në ullishtë etj.
Vlerësimi i cilësisë dhe pamjes së vajrave të ullirit dhe produkteve nga ulliri
Për vlerësimin e cilësisë dhe pamjes së vajit të ullirit dhe produkteve nga ulliri janë dorëzuar 485 mostra nga Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, prej të cilave 440 mostra të vajit të ullirit dhe 45 produkte nga ulliri.
Mostrat e vajit të ullirit në „Noćnjak“ pranohen dhe vlerësohen në dy kategori: vaji i ullirit i ambalazhuar dhe vaji i ullirit i hapur. Në secilën prej kategorive është shpallur kampioni i cilësisë, kurse në kategorinë e vajit të ullirit të ambalazhuar titullin e kampionit e mori edhe ambalazhimi, gjegjësisht pamja e produktit, i vlerësuar si më i miri.
Vlerësimi dhe ekspozimi i produkteve nga ulliri ka për qëllim të tregojë dhe të promovojë mundësitë e pakufizuara të përdorimit të frutit, drurit dhe vajit të ullirit në prodhimin e produkteve të ndryshme: kremëra, artikuj ushqimorë, produkte nga druri i ullirit, suvenire etj. Në ekspozitë u prezantuan produktet e ullirit të cilat u dorëzuan për konkurs, kurse ata më të mirët dhe kreativët u shpërblyen.
Ullishtarët nga Ulqini këtë vit në „Noćnjak“ për cilësi të vajit të ullirit fituan shtatë medalje (katër argjendi dhe tri bronzi) dhe tetë diploma.
Diploma për cilësi të vajit të ullirit të ambalazhuar të virgjër kanë fituar:
– Edon Cakuli (varieteti vajuk),
– Shaban – Buqo Kollari (varietete të përziera).
Medalje argjendi për cilësinë e vajit të ullirit të hapur ekstra të virgjër fituan:
– Nexhatin Mollabeqiri (varieteti vajuk),
– Osman Kallaba (varietete të përziera),
– Kadro Kurti (varieteti vajuk),
– Ardian Lula „Golden star“ (varieteti vajuk).
Medalje bronzi për cilësinë e vajit të ullirit të hapur ekstra të virgjër fituan:
– Arben Elezaga (varieteti vajuk),
– Osman Kallaba (varietete të përziera),
– Gëzim Haxhimolla (varieteti vajuk).
Diploma për cilësinë e vajit të ullirit të hapur të virgjër fituan:
– „Familja Bilali“ – Said Bilali (varieteti vajuk),
– Suad Haxhibrahimi (varieteti vajuk).