skip to Main Content

 

Tradita

Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është pjesë e pandashme e kulturës së popullsisë që jeton në këto troje dhe me krenari ruhet dhe trashëgohet nga brezi në brez. Tradita e kultivimit të ullirit në Ulqin është mbi 2000 vjeçare.

Deri në fillim të shekullit të 20-të është ruajtur tradita popullore që mashkulli i cili martohet duhet të mbjellë së paku 40 rrënjë ulliri.

Gjendja e tanishme dhe planet

Ulliri për një kohë ka qenë i lënë pas dore, por, dalëngadalë po fillon të kthehet rëndësia që e ka pasur gjatë shekujve dhe popullsia po vazhdon traditën e kultivimit të kësaj bime. Prodhimi zhvillohet kyesisht në mënyrë tradicionale, kurse viteve të fundit po krijohet edhe prodhimi në formë të plantacioneve i cili është më pak i pranishëm. Më së shumti janë të përfaqësuara llojet autoktone: Vajuku, Frangu, Ullastra. Viteve të fundit vihet re prirja për të mbjellur llojet e ardhura nga jashtë si Arbequina, Leccino, Coratina. Këto lloje duhet të kompensojnë mungesën e llojeve për konsumim (dhe konservim) të varietetve vendase dhe të mundësojnë kultivimin e ullirit në zona të cilat janë kritike për shkak të ngricave gjatë dimrit.

Ullishtarinë në Ulqin (dhe në Mal të Zi) e karakterizojnë variacione të theksuara në rendimentet vjetore e një ndër arsyet është zbatimi i papërshtashëm, i parregullt dhe jo i plotë i masave agroteknike.

Fryti i ullirit kryesisht përpunohet në vaj në fabrika të vajit (fabrika të vajit me linjë të vazhdueshme për shtrydhje të ftohtë dhe në mullinjët tradicionalë të gurit) të cilat nuk i plotësojnë në masë të duhur të gjitha standardet ndërkombëtare. Viteve të fundit vërehet një përmirësim për sa i përket zbatimit të masave agroteknike dhe modernizimit të teknologjisë për përpunimin e ullirit, çka ndikon edhe në cilësinë e produktit përfundimtar.

Me projektin „Një milion rrënjë të ullirit“, Ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural ka paraparë që numri më i madh i ullinjëve të mbjellet në territorin e komunës së Ulqinit.

Shoqatat e ullishtarëve kanë një rol të rëndësishëm për provimin dhe zhvillimin e ullishtarisë.