skip to Main Content
Raporti Në Lidhje Me Punëtorinë Dhe Ligjëratën Të Mbajtura Në Tivat

Raporti në lidhje me punëtorinë dhe ligjëratën të mbajtura në Tivat

Të premten më 7 prill 2017 në Tivat u mbajt punëtoria dhe ligjërata për ullishtarë të cilat i organizoi Shoqata e ullishtarisë “Boka”. Ky aktivitet u organizua të kuadër të projektit me të cilin Shoqata e ullishtarisë “Boka” konkuroi pranë komunës së Tivatit për ndarjen e mjeteve shoqatava joqeveritare. Projekti me të cilin konkuroi Shoqata e ullishtarisë “Boka” u financua pjesërisht, kështu që ky aktivitet që u organizua ishte pjesë e projektit të përgjithshëm me të cilin konkuroi shoqata “Boka” dhe u financua nga ajo shumë e pjesëshme e mjeteve të ndara nga ana e komunës së Tivatit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm rreth 35 pjesëmarrës: ullishtarë, përfaqësues të komunave, përfaqësues të shoqatave të ullishtarëve, përfaqësues të Shërbimit këshillimor nga Tivati, Kotorri, Herceg Novi, Budva dhe nga Ulqini.

Aktiviteti filloi në orën 9:00 të mëngjesit në Tivat (Lastva e poshtme) në ullishten e shkollës fillore “Drago Miloviq“. Demonstrimin e krasitjes në këtë ullishtë 5 vjeçare e bëri këshilltari i lartë i Shërbimin këshillimor të Kroacisë (filiali i zhupanisë splito-dalmatine) z. Stanisllav Shtambuk. Ai gjatë demostrimit të krasitjes spjegonte të gjithë hapat: se cilat degë duhet të priten, arsyen se pse duhet të priten, se si vendi ku priten degët më të trasha duhet të lyhet me dyell ose me ndonjë preparat tjetër për shkak të dezinfektimit, shpjegoi se si duhet të formohet kurora e ullinjëve, cilat preparate duhet të përdoren për sëmundje të ndryshme, me çfarë plehut duhet të ushqehen, bëri krahasimin e problemeve (sëmundjet, dëmtuesit) me të cilët ballafaqohen ullishtarët  në vendet tjera e sidomos në Kroaci etj.

Ullishta e dytë të cilën vizituam ishte ajo e Zdravko Vuçetiqit në Kavaç (vajuk, leccino, frantoio, ascolana  tenera)  dhe  atij  iu  sugjerua  që  të  bëjë pak  uljen dhe rrallimin e kurorës. Gjithashtu iu

sugjerua që degëve më të trasha të cilat duhet të mënjanohen menjëherë t’u bëhet unazimi në mënyrë që këtë vit të japin sasi maksimale të frutit e pastaj të mënjanohen (priten) në vjeshtë.

Në ullishten e dr. Vuçetiqit (ullinj të vjetër të varietetit vajuk dhe ullinj dhjetëvjeçarë të varieteteve  leccino, coratina, pendolino, cipressino etj.) ullinjët ishin mjaft të mirëmbajtur, por në disa prej tyre kishin filluar të thahen disa degë e nga z. Shtambuk morëm vesh që shkaktar ishin drubiruesi (Scolytidae) dhe krimbi i degëve dhe u këshillua që këto degë të priten. Gjithashtu u treguan edhe masat mbrojtëse dhe mënyra e plehrimit të ullinjëve në këtë ullishtë.

Vizita e rradhës ishte në ullishten e Familjes Vujoviq në Grbalin e Epërm (fshati Pelinovo) ku patëm mundësi të shohim e ullinjët e vjetër me kurorë të ulur të varietetit autokton vajuk, varietet e introduktuara si leccino, pendolino etj., por edhe një ullishtë të sapombjedhur (rreth 100 fidana) të varietetit oblica të cilët ishin mbjedhur në shpatin e një kodre. Pronari u këshillua që të mbjedhë edhe disa polenizues në ullishten me oblica.

Në Zagorë vizituam ullishten e familjes Popoviq ku kishte kryesisht ullinj të varietetit autoktonë (vajuk). Në këto prona kishte edhe ullinj të vjetër të varietetit vajuk të cilëve ua kishin prerë pothuajse gjithë trungun në mënyrë që të ripërtërihen. Problem në këto prona përbënte fakti që ullinjët e mbjellur para rreth 15 viteve nuk kishin pasur frut pothuajse fare, e gjithashtu as ata të krasitur/prerë para 6-7 vitesh. Të gjithë ullinjët ishin në gjendje shumë të mirë për nga pamja. Përreth ullishtave të familjes Popoviq, gjendeshin edhe parcelat e tyre me pemë të ndryshme frutore (mollë, dardhë, qershi etj.) të cilat gjithashtu ishin shumë të mirëmbajtura. Këtë familje z. Shtambuk gjithashtu e këshilloi sesi t’i ushqejë ullinjët duke e pasur parasysh edhe se nuk kishin dhënë frut.

Në ullishtat e familjeve Vujoviq dhe Popoviq pjesëmarrësve u ofruan edhe ushqime tradicionale (petulla, ëmbëlsira etj.) të përgatitura nga amviset e këtyre familjeve si dhe u ofruan pije tradicionale (raki, verë etj.) dhe pije freskuese. Gjatë këtyre pushimeve të shkurtra ullishtarët u njoftuan edhe më tepër me njëri-tjetrin duke shkëmbyer edhe përvojat nga ullishtat e tyre.

Vizatat e ullishtave përfunduan rreth orës 16:00 kur një nga ullishtarët e Bokës (Ivo Popoviq)  ftoi të gjithë të pranishmit në punëtori në restorantin e tij ku kishin përgatitur drekën për të gjithë pjesëmarrësit.

Pjesëmarrësit patën mundësi që gjatë gjithë kohës së demonstrimit z. Shtambukut t’i parashtrojnë pyetje dhe të kërkojnë prej tij këshilla në lidhje me sëmundjet, dëmtuesit dhe problemet apo paqartësitë tjera me të cilat ata ballafaqohen gjatë punës së tyre në ullishtë.

Për të gjithë pjesëmarrësit të cilët dëshiruan për shkak të lehtësimit të lëvizjes nga fillimi i demonstrimit të krasitjes e deri në përfundim të aktivitetit në terren, ishte i organizuar transporti me furgon.

Në orën 18:00 në sallën e komunës së Tivatit u mbajt ligjërata e udhëhequr nga z. Shtambuk në lidhje me sëmundjet dhe dëmtuesit e ullinjëve, preparateve të cilët duhet të përdoren, rreth masave agroteknike, vetitë dhe dobitë e vajit të ullirit etj.  Edhe në këtë ligjëratë morën pjesë një numër i konsiderueshëm i të interesuarve (mbi 30) të cilët shtruan edhe shumë pyetje për të cilat morën përgjigje profesionale. Ligjërata përfundoi rreth orës 20:00.

Në fund mund të themi se ky aktivitet ishte i suksesshëm sepse pjesëmarrësit patën mundësi të shohin demonstrimin e krasitjes së ullinjëve me vjetërsi, madhësi, varietete dhe gjendje të ndryshme,  parashtruan pyetje të shumta në të cilat z. Shtambuk u  përgjigj në mënyrë profesionale

dhe u mundua që të japë këshilla se si të përmirësojnë gjendjen në ullishtat e tyre, ullishtarët përmes pyetjeve deshën edhe të vërtetonin se a janë të sakta njohuritë të cilat ata kanë nga ullishtaria e të cilat ata i kanë marrë nga ullishtarët më të vjetër etj., çka ndihmoi në edukimin e ullishtarëve të cilëve njohuritë e marra do t’u shërbejnë që të përmirësojnë gjendjen në ullishtat e tyre e kështu të përfitojnë ullinj më të mirë dhe vaj më cilësor. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të gatshëm të pranonin dhe të zbatonin këshillat e z. Shtambuk në ullishtat e tyre.

Të nesërmen më 8 prill, ullishtarët e interesuar kanë patur mundësi që të ftojnë z. Shtambuk në ullishtat e tyre për t’u dhënë këshillat e nevojshme.

This Post Has 0 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.